.



Postuar më: 25/10/2018

Hapet Njësia e Kemioterapisë në Fier

Fier, 19 Tetor – Në spitalin rajonal të Fierit u hap për herë të parë Njësia e Kemioterapisë, për trajtimin e tumoreve afër vendbanimit. Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inaguruan shërbimin e ri në këtë spital, I cili  i shtohet 5 kabineteve të kemioterapisë në spitalet rajonale në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Durrës dhe Korçë, duke zgjeruar hartën e këtyre njësive pranë vendbanimit, për të shmangur ecejaket e mundimshme për të marrë terapinë, për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.

Kryeministri dhe Ministrja Manastirliu u ndalën gjithashtu në investimet e kryera në spitalin e Fierit.

Rreth 1 milion euro janë investimet në aparatura të teknologjisë së lartë në këtë spital vetëm gjatë këtij viti, ku është investuar në pajisje ekzaminuese dhe intervenuese moderne, në shërbim të 300 mijë banorëve të qarkut të Fierit.

 

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit. Gjatë vitit të fundit, Qeveria shqiptare ka investuar në aparatura të teknologjisë së lartë në spitalet rajonale, për të rritur aksesin në shërbimet parandaluese, sa më pranë vendbanimit të qytetarëve”.

Është dyfishuar shërbimi i mamografisë në territor. Me një investim rreth 800 mijë euro, 5 mamografë modernë janë instaluar në spitalet e Durrësit, Dibrës, Gjirokastrës, Vlorës dhe Kukësit, për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë.

Sot mamografia kryhet në Tiranë dhe në 9 spitale rajonale dhe së bashku dhe me 2 mamografët e lëvizshëm, kemi mundësuar që shërbimi të ofrohet nga veriu në jug të vendit, duke e dyfishuar numrin e mamografive të kryera në rang kombëtar (rreth 9500 në vit).

Sa i takon trajtimit të kancerit të gjirit, gjatë këtij viti, Qeveria i dha zgjidhje përfundimtare një problematike mbi 20 vjeçare, të mungesës së trajtimit me kemiopreparate si herceptina, për gratë me kancer gjiri.

Sot, me përfshirjen e herceptinës (forma subcutane) në Listën e Barnave të Rimbursueshme, si edhe me kontratën e posaçme të lidhur mes Ministrisë dhe prodhuesit të autorizuar, po mbulojmë plotësisht trajtimin me herceptinë për gratë dhe vajzat që kanë nevojë për këtë terapi.

Gjithashtu, trajtimi me radioterapi është përmirësuar ndjeshëm, duke e përafruar QSUT-në, qendrën e referencës për sëmundjet onkologjike, me klinikat europiane.

 

Me instalimin e akseleratorit të dytë linear në QSUT, rreth 1200 pacientë në vit e marrin shërbimin e radioterapisë në kushte dhe standarde bashkëkohore, duke përmirësuar cilësinë dhe saktësinë e trajtimit me teknikat e reja që përdoren sot në Botë.