.



Postuar më: 25/10/2018

“Kërcejmë për jetën” në sheshin Skënderbej

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizoi “Markatën rozë”  për rritjen e ndërgjegjësimit në ditën kombëtare të depistimit të kancerit të gjirit

 

Tiranë, 21 Tetor – Me thirrjen për të kryer sa më parë kontrollin e gjirit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me zonja të njohura të politikës, gazetarisë, artit dhe kulturës u bënë bashkë në “Markatën rozë”, aktiviteti ndërgjegjësues i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në ditën kombëtare të depistimit të kancerit të gjirit.

“Tumoret e gjirit janë rritur vit pas viti, janë rreth 550 raste të reja në vit, por vdekshmëria jo, çka tregon për rritjen e aksesit në shërbimet diagnostikuese dhe trajtuese për kancerin e gjirit”, tha Manastirliu në mesazhin e saj.

Oltiana Petri dhe Elona Qira, dy gra të mbijetuara nga kanceri i gjirit, treguan elsperiencat e tyre në betejën e gjatë me kancerin e gjirit, duke dhënë mesazhin për të kryer sa më herët kontrollin e gjirit, sepse të shpëton jetën!

“Markata rozë”, aktiviteti ndërgjegjësues i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në ditën kombëtare të depistimit të kancerit të gjirit bëri bashkë politikane si Mimi Kodheli, Blerina Gjylameti, Elisa Spiropali, Vasilika Hysi, Etilda Gjonaj, dhe personazhe të gazetarisë dhe kulturës si Ema Andrea, Mirela Milori, Juli Xhokaxhi, Mira Kazhani, etj.

Në një atmosferë festive, nxënëset e shkollës së baletit kërcyen së bashku me politikanet, personazhet e njohur dhe gratë e zakonshme që kishin mbushur sheshin Skënderbej, në  “kërcimin për jetën”.

Gjatë këtij muaji, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka organizuar një seri aktivitetesh, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Gjatë muajit Tetor, shërbimi i mamografisë ofrohet falas me orar të zgjatur, nga ora 08:00- 18:00 nga e hëna në të premte dhe 08:00-14:00 të shtunave në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, në Maternitetin “Mbretëresha Gerladinë”, në QSUT si dhe në 9 spitale rajonale ku ofrohet ky shërbim. Ndërsa mamografët e lëvizshëm përgjatë muajit Tetor po ofrojnë shërbim në Skrapar, Fier, Ersekë, Sarandë, Lezhë, Burrel, Bajram Curri, Fierzë, Bulqizë, etj. Vetëm nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm, kryhet ekzaminimi i gjirit falas për rreth 5500 gra në vit, duke e dyfishuar numrin e mamografive të kryera në rang kombëtar, rreth 10,000 në vit.