.

vije ndarëse

Postuar më: 16/01/2019

Manastirliu inspekton QSh në Shkodër: Këtë vit investojmë në 100 qendra të reja

“Të gjitha qendrat shëndetësore dimërore janë furnizuar me medikamentet e urgjencës. Ekipet mjekësore janë në gatishmëri”

Shkodër, 15 Janar – Katër qendra shëndetësore kanë përfunduar rikonstruksionin e plotë në qarkun e Shkodrës, pjesë e programit të 80 qendrave shëndetësore dhe ambulancave të rehabilituara me fondet e buxhetit të shtetit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi qendrën shëndetësore Bërdicë e Madhe dhe ambulancën Rranxë të Bushatit, të cilat i shërbejnë rreth 6600 banorëve të këtyre zonave.
“Kemi krijuar një standard të ri shërbimi me përmirësimin e infrastrukturës në kujdesin shëndetësor parësor, një standard unik, siç është në këtë qendër shëndetësore në Bërdicë të Shkodrës, ashtu është në 80 qendrat e rehabilituara deri tani, pjesa e parë e programit tonë të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Vijojmë këtë vit me rehabilitimin dhe pajisjen e 100 qendrave të reja në të gjithë vendin”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha nga Bërdica se është siguruar furnizimi i plotë me barna dhe materiale mjekësore për qendrat dimërore që bllokohen nga dëbora.
“92 qendra shëndetësore dimërore janë pajisur me të gjitha barnat e urgjencës për të gjithë sezonin e dimrit. Qendrat shëndetësore, spitalet por mbi të gjitha ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri dhe jam këtu për të siguruar qytetarët që jemi në terren për të garantuar akses në shërbime shëndetësore edhe në këto ditë të motit të vështirë”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u ndal dhe në ambulancën Rranxë në Bushat, ku pa nga afër rikonstruksionin e kësaj ambulance, një investim i munguar prej dy dekadash në zonën e Vaut të Dejës. Ministrja inspektoi gjithashtu punimet në një qendër që po ndërtohet rishtazi në këtë zonë, në kuadër të projektit “Fuqizimi i kujdesit parësor”, financuar nga Programi Italo-Shqiptar IADSA, e cila do të garantojë një standard të ri shërbimi 24/7 për 13 mijë banorët e Bashkisë Vau Dejës.

Në qarkun e Shkodrës janë rikonstruktuar dhe pajisur sipas standardeve 4 qendra shëndetësore dhe ambulance, përkatësisht qendra shëndetësore Bërdicë, qendra shëndetësore Velipojë, ambulance Rranxë dhe qendra shëndetësore Stërbeq në Malësinë e Madhe.