.



Postuar më: 03/10/2018

Manastirliu në Korçë: Brenda vitit hapet materniteti i ri

Gjatë inspektimit në maternitetin e Korçës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se do rijetësohet rrjeti i materniteteve në vend

“Materniteti i ri të Korçës do të japë dyert brenda këtij viti”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet në maternitetin e  Korçës, një investim prej 200 milion lekë nga buxheti i shtetit.

“Pak ditë më parë dhamë një lajm të mirë për të gjithë familjet që do të gëzohen me fëmijë, çekun e shumëfishuar të bebeve. Bonusi është vetëm njëri element sa i takon programeve tona me fokus nënën dhe fëmijën. Ne po rijetësojmë maternitetet në të gjithë vendin për t’ju dhënë mundësi nënave të marrin shërbim afër vendbanimit”, tha Manastirliu.

Materniteti i ri i Korçës sapo ka përfunduar rikonstruksionin dhe pritet të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë, për të nisur funksionimin brenda këtij viti.

Ministrja Manastirliu deklaroi se ky nuk është i vetmi investim në Shtëpitë e Lindjes.

“Po përfundon investimi i rëndësishëm për maternitetin e ri të Sarandës. Vijojmë me investime të munguara ndër vite, në maternitetin e Beratit, të Lezhës, të Kukësit, Matit, Pogradecit, etj., me synim që shërbimi për nënën dhe fëmijën të jetë cilësor dhe afër vendbanbimit”, tha Manastirliu.

Materniteti i ri i Korçës do të ketë 45 shtretër, dy salla operacioni, dy salla lindjeje, repartin e Neonatologjisë, Reanimacionit, etj dhe i shërben një popullate prej 270 mijë banorë.