.



Postuar më: 25/10/2018

Modernizimi i QSUT

Jetësohen dy projekte madhore që do të transformojnë qendrën spitalore universitare më të madhe në vend, ndërtimi i spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme dhe spitalit të ri kirurgjikal.

 

Tiranë, 23 Tetor – Konkretizohet investimi madhor prej 23 milion euro për modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kredi e qeverisë Shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Evropës (CEB) për ndërtimin e Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalit të Ri të Kirurgjisë.

Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vendosën gurin e themelit të spitalit të ri, në praninë e stafit mjekësor dhe drejtues të QSUT-së.

Këto dy investime të rëndësishme, pjesë e projektit për modernizimin e qendrës më të madhe spitalore në vend, do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët, jo vetëm të Tiranës, por të të gjithë Shqipërisë (duke marrë parasysh se 50% e pacientëve që marrin shërbim çdo vit në QSUT vijnë nga jashtë Tiranës).

Nga të dy investimet që po kryhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të përfitojnë rreth 50.000 pacientë në vit, rreth 5,000 punonjës staf mjekësor dhe jo mjekësor, si dhe rreth 1,000 studentë të mjekësisë.

Spitalit i ri 7-katësh i sëmundjeve të brendshme që nis të ndërtohet sot, do të përfundojë në 36 muaj. Ky spital do të zëvendësojë spitalin e njohur si 6-katëshi në QSUT dhe do të ketë një kapacitet prej 271 shtretërish dhe do të pajiset me aparatura moderne të teknologjisë së lartë.

Spitali i ri i sëmundjeve të brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, por që së bashku me shërbimet ekzistuese ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

Risi është krijimi për herë të parë i një spitali ditor me 60 shtretër që do të lehtësojë shërbimin në kohë dhe me cilësi për pacientët, si dhe do të reduktojë shfrytëzimin e shtratit edhe për trajtime për të cilat pacientët nuk e kanë të nevojshëm ditë qëndrimin në spital.

Projekti tjetër i rëndësishëm, i planit të qeverisë shqiptare për modernizimin e QSUT-së, i cili ka nisur të zbatohet, është ndërtimi i spitalit të ri të Kirurgjisë (dy kate të reja) në atë që do të quhet Spitali Kirurgjikal. Punimet kanë nisur në Maj të 2018 dhe përfundojnë në Maj të vitit 2019.

Spitali i ri do të ketë 120 shtretër, 7 salla operacioni (Urologji, Kirurgji e Përgjithshme, Tiroidet, Toraksi, Kirurgji Abdominale, me një kullë laparoskopie secila), një laborator histologjik, 7 shtretër të tjerë për terapinë intensive dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë.

Vetëm gjatë këtij viti, investimet në shëndetësi janë në vlerën 14 milion euro, duke nisur me investimet për rehabilitimin e 80 qendrave shëndetësore (pjesë e programit kombëtar të rindërtimit të 300 qendrave në këtë mandat) për të vijuar me investime në 9 spitale, për të përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor, afër vendbanimit.