.



Postuar më: 03/10/2018

Ndihma Ekonomike

Skema e Ndihmës Ekonomike është shtylla kryesore e programit të mbrojtjes sociale e cila synon zbutjen dhe lehtësimin e varfërisë, duke siguruar pagesa dhe mbështetjen e familjeve dhe individëve më në nevojë, për të dalë nga varfëria dhe për të gjetur mundësitë e riintegrimit social dhe ekonomik. Kjo skemë është reformuar, duke sjellë transparencë dhe efikasitet, lehtësim dokumentacioni dhe procedurash për qytetarët që aplikojnë për ndihmë ekonomike.

Ndihmën ekonomike mund ta marrin:

• Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme
• Prindërit me më shumë se tre fëmijë të lindur njëherësh që u përkasin familjeve në nevojë (trinjakë, katërnjakë, pesënjakë);
• Jetimët të cilët nuk janë në institucione;
• Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
• Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm tëmbrojtjes.

Aplikimi për ndihmë ekonomike bëhet me ID dhe dokumenti që dorëzohet është dokumenti i pronësisë i lëshuar nga ZRPP.
Aplikimi bëhet nga të dy bashkëshortët ose nga kryefamiljari / anëtari madhor I familjes kur nuk ka bashkëshort/e, pranë administratorit shoqëror të Njësisë Administrative ku familja ka vendbanimin.
Në rastet kur bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese dhe ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, aplikimi bëhet veçmas per secilin bashkëshort. Në këtë rast duhet që të dorëzohet edhe vërtetimi i gjykatës që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martesore.
Aplikimi bëhet nga data 1-10 të çdo muaji. Në rast se aplikimi plotësohet mbas 10 (dhjetë) ditëve të para ajo ruhet dhe bëhet e vlefshme për muajin pasardhës.
Aplikimi përmban një sërë pyetjesh, të cilat kanë për qëllim vlerësimin e gjendjes reale ekonomike. Këto pyetje kanë të bëjnë me numrin e anëtarëve të familjes, arsimimin dhe punësimin e tyre, llojin e banesës, pasuritë dhe objekte të tjera në pronësi, si dhe të ardhurat.
Informacioni i dhënë gjatë plotësimit të aplikimit verifikohet në mënyrë elektronike me institucionet e tjera shtetërore, si dhe fizikisht në vendbanim kur futen për herë të parë dhe dy herë në vit.

Nga Ndihma Ekonomike mund të përjashtohesh nëse:

• Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes me përjashtim të rastit vajzë nënë;
• Nuk tërheq në kohë ndihmën ekonomike;
• Refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje;
• Fsheh informacionin / kryen deklarim të rremë dhe nuk deklaron ndryshimet e situatës social-ekonomike;
• Refuzon përfshirjen në kurset e formimit profesional ose ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës dhe nuk rezultojnë punëkërkues të papunë, apo të vetëpunësuar pranë zyrave të punës.

Informacioni për pranimin apo refuzimin e dhënies së ndihmës ekonomike jepet nga bashkia/njësia administrative, në përfundim të muajit për të cilin aplikimi është i vlefshëm.
Pagesa e Ndihmës Ekonomike tërhiqet dhe merret në dorëzim nga gruaja e familjes në nevojë dhe nga vetë individi në nevojë pranë zyrave të postës ose sporteleve të bankave.
Për të vazhduar marrjen e ndihmës ekonomike bashkëshortët duhet të paraqiten çdo 3 (tre) muaj pranë administratorit shoqëror për të plotësuar deklaratën, mbi çdo ndryshim të situatës së tyre, nëse ka ndryshuar.
Në rastet ndryshimi të vendbanimit të familjes përfituese, krahas ndryshimit të gjendjes civile, transferohet edhe dosja e ndihmës ekonomike në bashkinë apo njësinë administrative të re.
Për çdo fëmijë që ndjek arsimin e detyrueshëm dhe për çdo vaksinë të kryer, ka një pagesë shtesë.
Në rast se familja/individi nuk është dakord me vendimmarrjen për mospërfitimin e ndihmës ekonomike, ankimimi administrativ bëhet pranë bashkisë ku aplikoni dhe në rast se nuk gjeni zgjidhje ju keni të drejtë të ankimoni pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Pas ankimimit administrativ çdokush ka të drejtën e ankimimit pranë Gjykatës Administrative