.

vije ndarëse

Postuar më: 17/12/2018

Rehabilitohet ambulanca Lusen në Kukës, Manastirliu: Vëmendja te kujdesi parësor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pa nga afër investimin që ka transformuar ambulancën e zonës së thellë të Lusenit në Kukës, në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, 80 prej të cilave përfundojnë rehabilitimin dhe pajisjen brenda këtij viti. Manastirliu garantoi edhe furnizimin me barnat e urgjencës për të gjithë qendrat shëndetësore dhe ambulancat që bllokohen gjatë periudhës së dimrit

 

Kukës, 17 Dhjetor – Investimet për përmirësimin e shërbimit shëndetësor parësor arrijnë edhe në zonat më të thella të vendit. Ministrja Manastirliu vizitoi pikën e ambulancës në Lusen të Kukësit, e cila sapo ka përfunduar rehabilitimin e plotë dhe pajisjen me standarde bashkëkohore.

“Kujdesi parësor është në qendër të vëmendjes tonë ndaj po investojmë jo vetëm në qytet por edhe në fshat, për ambulanca të rehabilituara e me pajisje të reja, në kuadër të programit të rehabilitmit të 300 qendrave shëndetësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi nga Kukësi se është siguruar edhe furnizimi me barnat e urgjencës për 92 qendra shëndetësore dhe pika ambulancash që rrezikojnë bllokimin gjatë dimrit, nga veriu në jug të vendit.

Personeli shëndetësor dhe banorët e zonës u shprehen se ky investim ka ndryshuar tërësisht kushtet e shërbimit në këtë ambulancë, e cila deri dje nuk ofronte kushtet minimale për shërbimin shëndetësor.

Pika e ambulancës Lusen është një prej 80 qendrave shëndetësore dhe ambulancave që rehabilitohen brenda vitit me fondet e buxhetit të shtetit.

“Me buxhetin e vitit të ardhshëm rehabilitojmë 100 qendra të tjera shëndetësore dhe pika ambulancash për të ofruar shërbim shëndetësor me cilësi, sa më afër vendbanimit të qytetarëve, kudo ku ata ndodhen”, tha Manastirliu.